Signup using your Facebook account and sync your favorites radios across devices
Signup with FacebookSignup using your Facebook account and sync your favorites radios across devices
Signup with FacebookRTSH - Radio Tirana 1 is a broadcast radio station in Tirana, Albania, providing Public Broadcasting News, Cultural, Educational and Entertainment shows. Comprised of Radio ... See more Triana and Televizioni Shqiptar, RTSH (Radio Televizioni Shqiptar) is the only public broadcasting organization in Albania.
Degjo online/Listen online http://www.rtsh.al/?fq=radio
“Ju flet Tirana!”– Ishte thirrja që prej 28 nëntorit të vitit 1938 e deri sot e kësaj dite, emeton fjalën shqip për shqiptarët, duke na kujtuar se, është e para radio në vend që hodhi bazat dhe ndërtoi historinë e radiofonisë në Shqipëri. Nuk ishte aspak një aventurë. Ishte përpjekje e jashtëzakonshme për të ngritur një radio nga hiçi, për ta mbajtur dhe mbrojtur atë, si dhe për të ndikuar në ngjarjet më të rëndësishme të këtyre viteve. Ishin njerëzit e kryeqytetit, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që ngritën dhe mbajtën Radio Tiranën, tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor. Shumica e këtyre njerëzve nuk jetojnë më, të paktët çapiten të lodhur nga jeta e pleqëria, por kurrë nga profesioni, pavarësisht se një pjesë e tyre ndjehen të mënjanuar e të harruar nga koha. Por ajo që na mbetet ne prej tyre, është një radio e vjetër, lindur 70 vjet më parë, përmes një rrugëtimi të vështirë dhe plot peripeci, në përballje me historinë dhe tekat e saj.
Fillimet
Radio Tirana, për herë të parë në historinë e saj, ka nisur transmetimet më 28 Nëntor të vitit 1938, pesë muaj para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Fillimisht Radio Tirana e kishte rezidencën e vet në një prej ambienteve të Bashkisë së atëhershme, por që aty nga fundi i vitit 1939, u transferua në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani. Lajmi për hapjen e një radioje në kryeqytetin shqiptar, ku të flitej dhe transmetohej muzikë shqipe, u prit me entuziazëm të madh tek njerëzit. Në Tiranën e Mbretit Zog, ideja e një radioje, ishte ndër shanset e mëdha të përhapjes së një fryme emancipuese për shoqërinë e prapambetur shqiptare. Dëshmitë tregojnë se në ceremoninë e inaugurimit të Radio Tiranës, morën pjesë vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë, të cilët mbajtën edhe fjalimet përkatëse. Nga kjo radio fillimisht transmetohej muzikë patriotike e popullore shqiptare dhe kryesisht për muzikën përdoreshin disqet e gramafonëve të dhuruara nga qytetarët. Drejtori i parë i Radio Tiranës ishte Gjergj Bubani, një njeri me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, ndërkohë që stafi që punonte asaj kohe në Radio Tirana ishte tejet i vogël. Gjithçka bëhej nga ata vetë. Zgjidhej muzika, materialet, mbikëqyrej teknika, etj. Mbi të gjitha ishte pasioni i madh i këtyre njerëzve për të folur me bashkëqytetasit e tyre dhe për të përcjellë tek ata ngjarjet e kohës së turbullt, në vigjilje të luftës që do të fillonte së shpejti.
Pushtimi
Më 7 Prill 1939, kur Shqipëria po pushtohej nga Italia fashiste, kudo u bënë thirrje që populli të ngrihej kundër këtij pushtimi. Dhe jehona që vinte nga Radio Tirana, ishte më e forta. Radio Tirana më i vogli institucion në Shqipëri, para 7 prillit – shkruhej në gazetën “Bashkimi i Kombit”, më 9 prill të vitit 1944, në ditën fatale, u kallëzua më i vlefshmi, nga ç‘mund të besohet, madje shumë më i vlefshëm nga shtatmadhnia gjeneral Araniti…”. Madje dëshmitarët tregojnë se ishte vetë drejtori i atëhershëm i radios, Gjergj Bubani, që ka folur në mikrofonin e Radio Tiranës, në disa gjuhë të huaja, përveçse në shqip, kundër pushtimit të Shqipërisë. Që më 14 prill të 1939, pra vetëm pak ditë pas pushtimit, siç njoftonte gazeta “Shtypi”, Radio Tirana nisi të transmetonte edhe programe në gjuhë të huaja, kryesisht në serbokroatisht, greqisht, bullgarisht, rumanisht, turqisht, anglisht, frëngjisht. Të gjitha këto programe kundër pushtimit. Nga fundi i viteve 1939, Radio Tirana transferohet si godinë dhe duke filluar nga viti 1940, nisi të botojë edhe një revistë të përdyjavshme, e cila u quajt së pari “Radioprogram”, e më pas “Radiorevista Tirana” dhe “Vatra shqiptare”. Në numrin e parë të kësaj reviste (11 Prill 1940) shkruhej: “Brenda një vendi pak metra katrorë: një pianoforte e zezë ngjitur pas murit. Në cep të tij një tryezë e vogël, një copë hekuri i bardhë – mikrofoni. Pjesë kansonetash mbi tryezë bashkë me letra të daktilografuara. Një djalosh flokëverdhë i mbytur në djersë shprehet me shumë gjeste e pak fjalë. Mbi një karrike disa dhejtëra disqe të prishura nga përdorimi. Një i nxehtë që të zë frymë. Ishte qendra e re e Radio Tiranës….”. Marrja e kryeqytetit nga italianët, natyrisht që devijoi edhe natyrën e programeve apo informacioneve që kishin krijuar tashmë një traditë për dëgjuesit. Ndërsa stafi i saj ishte rritur, kohët kishin ndryshuar dhe radio shihej si mjet i një propagande të fuqishme, në ndihmë të pushtuesve. Ata nuk mund të lejonin që radio t’u shpëtonte kontrollit të tyre. Me pushtimin gjerman shënohet edhe incidenti më i rëndë me njerëzit e radios. Më 17 Nëntor të vitit 1943, i gjithë personeli i radios thirret për një mbledhje, që në fakt ishte grackë e Gestapos. Të gjithë u arrestuan, madje dhe dy punonjësit italian, që kishin ngelur aty që prej ikjes së italianëve. Grupi në të cilin bënin pjesë edhe Gjergj Bubani dhe Behije Çela, madje u vu nën grykat e armëve të togës së pushkatimit, pasi akuzoheshin si komplotistë, por një ndërhyrje e rastësishme e një njeriu me influencë, bëri që masakra të mos ndodhte. Gjithsesi, radioja ra në duart e gjermanëve dhe u desh një natë e vetme, ajo e 17 nëntorit të vitit 1944, që të çlirohej Tirana si dhe të rimerrej radioja që i përkiste veç asaj.
Rimarrja
Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, disa nga punonjësit dhe teknikët e mëparshëm të Radio Tiranës, u thirrën me urgjencë, që të fillonin rregullimin e aparaturave të shkatërruara nga lufta. Dhora Leka dhe Refik Bezhani, ishin të parët njerëz që u caktuan të punonin aty, së bashku me muzikantin e njohur Mihail Ciko, inxhinierin italian Antonio Galeaci, teknikët Spiro Qirko, Ali Njuma, Todo Bojdani, Bedri Mara,…etj. Me një punë të pandërprerë, u bënë provat e para të transmetimeve dhe më 27 Nëntor 1944, Radio Tirana rifilloi traditën e vet. Vijoi muzika partizane, sazet popullore, muzika e interpretuar nga artistët prezent në studio, shoqëruar nga pianisti italian Mario Etore dhe shqiptarja Lola Gjoka. Çdo natë ishte si një premierë. Artistë që vinin e shkonin, emocione të drejtpërdrejta, altoparlantë të vendosur në pikat më kyçe të kryeqytetit dhe turmat e njerëzve që dëgjonin përmes tyre. Këngëtarët lirikë që debutuan pas lufte ishin Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, e plot të tjerë. Aty punuan edhe Viktori Xhacka, Evanthi Ciko, Besim Levonja e Behije Çela. Lufta kishte mbaruar. Njerëzit duhet të gëzonin dhe entuziazmi socialist përhapej në eterin e kryeqytetit përmes valëve të Radio Tiranës. Më pas filluan emisionet me këngë patriotike, reportazhe nga hekurudhat, nga jeta në qytet, filluan emisionet “Ora e gruas”, “Ora e fëmijëve”, “Ora e katundarit”, “Ora gazmore”, “Këshilla mjekësore”, etj. Që në ditët e para të pas luftës, Radio Tirana ka transmetuar dhe lajme në gjuhë të huaj, duke vazhduar përvojën e nisur që në prill të 1939.
Shkëlqimi dhe konjukturat
Ngjarjet, koha, miqësitë apo mëritë socialiste, komplotet apo dashuritë ndërmjet vendeve të kampit socialist, atmosfera në vend, toleranca dhe intoleranca, të gjitha këto lanë gjurmë në jetën e Radio Tiranës, duke i dhënë asaj herë shkëlqimin dhe herë duke i injektuar terrorin. Nderimi ynë shkon tek punonjësit e vjetër e të rinj të Radio Tiranës. Ata kanë punuar në kushte shumë të vështira, me mjete të vjetërsuara teknike, gjithmonë në shërbim të njerëzve. Më shumë informacion për ta, do të thoshte më shumë liri. Në këtë institucion kanë punuar talente të veçanta, njerëz të palodhur, nga të gjitha fushat, folës, gazetarë, muzikantë, përkthyes, shkrimtarë, aktorë, instrumentistë, etj. Në këtë rrugë të vështirë, veteranët e Radio Tiranës, janë pjesa më e çmuar e kujtesës, të cilën nuk duam as ta ndryshojmë dhe as ta modernizojmë, por ta ruajmë në arkiva dhe në mendje gjithmonë të re, si një nga pjesët më të mira të vetvetes. Janë pikërisht këta njerëz që kanë ushqyer shpirtrat e trazuar të shqiptarëve, mes valësh që mbërrinin në çdo shtëpi. Radio Tirana në këtë kohë zgjat oraret e transmetimeve të saj dhe puna e njerëzve bëhet më e detajuar. Fillon ndarja nëpër redaksi dhe larmia e programeve. Në 1945, Radio Tirana fillon për herë të parë në historinë e saj, një cikël emisionesh sportive, ku protagonist i saj bëhet Anton Mazreku. Në vitin 1946, filloi dramatizimi i pjesëve të ndryshme, me pjesëmarrjen e aktorëve më të mirë të skenës shqiptare. Në Radio Tirana ofrohen një grup i talentuar folësish, si Kaliopi Plasari, Refik Bezhani, Avni Skrapari, Eleonora Prori, Hysen Vendresta, Vera Zheji, etj. Dashuria me jugosllavët, rusët dhe kinezët dhe më pas miqësitë e prishura me ta, reflektoi ndjeshëm në programacionin e Radio Tiranës. Orë e orë transmetimi me muzikën e tyre dhe pastaj, fshirja nga fonoteka e gjithçkaje që lidhej me ta dhe presioni se mos diçka shpëtonte. Në vitet 60 një tjetër zbarkim pritej për Radio Tiranën. Ajo do të zhvendosej përfundimisht në ndërtesën e nisur nga rusët, të vazhduar nga kinezët dhe të përfunduar nga shqiptarët. Është pikërisht ndërtesa ku Radio Tirana gjendet sot. Më vonë krijohet orkestra e madhe, që njihej me emrin “Orkestra e radios dhe kinematografisë”, ndërkohë që në vitin 1962, Festivali i parë i muzikës së lehtë shqiptare, i njohur si “Festivali i Radios”, merr jetë, për të vazhduar një traditë shumë vjeçare. Struktura radiofonike e Radio Tiranës, funksionoi si e tillë deri vonë. Radio Tirana u shndërrua në një prodhues dhe përçues të madh. Fonoteka e saj ruan vlera të rralla për historinë e muzikës shqiptare dhe njerëzit që punuan aty, e ndërtuan çdo gjë me duart e tyre. Në vitin 1972, me fillimin e liberalizimit të jetës në vend, në kohën kur dukej se po frynte një fllad ndryshimesh, Radio Tirana filloi “Anketën muzikore” si dhe provoi futjen e muzikës së huaj, siç ishin për shembull “Beatles”. Ishte koha e pas Festivalit të 11-të, prandaj edhe kontestimet, reagimet dhe kundërshtimet ishin të ndjeshme. Gjithçka liberalizuese që kishte nisur të lulëzonte u ndërpre në mes dhe Radio Tirana vazhdoi me ritualin e saj propagandistik.
Koha e ndryshimeve
Vitet ‘90’ e gjetën Radio Tiranën pothuajse me të njëjtin personel. Megjithatë, përmbysja e komunizmit, nuk u përjetua njëlloj nga të gjithë ata që punuan aty. Për dëgjuesit e Radio Tiranës, ka mbetur i pashlyer komenti i gazetarit Alfons Gurashi, në ditën e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Era e ndryshimeve, solli më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin RTSH, si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin Shqipërinë. Gazetarët e Radio Tiranës, janë të parët që kanë përcjellë të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërinë e asaj kohe dhe kanë ditur të mbajnë publikun pas tyre, duke synuar të jenë mbi të gjitha profesionistë. Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social apo çdo ngjarje artistike, është përcjellë pikësëpari nga Radio Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin. Radio Tirana sot është një kompleks i organizuar që transmeton programe për dy kanale, si dhe bën mbulim ndërkombëtar në valë të mesme dhe të shkurtra. Radio Tirana prodhon tërësisht programet që ajo transmeton, si lajmet, kulturën, shkencën, ekonominë, muzikën, dramatizimet për të rritur dhe fëmijë, sportin, etj. Kanali kryesor i Radio Tiranës, është Kanali i Parë, që deri në Qershor 1994 transmetonte 19 orë në ditë, kohë kur një emision theu heshtjen e natës duke u quajtur “Heshtje jo” duke tentuar transmetimin nonstop të radios si iniciative e një grupi të rinj gazetarësh si: Adrian Krasta, Mimoza Picari, Ermenita Stafa, Alma Sula, Enkel Demi, Sokol Bllaca, Aldon Lipe. Dhjetori 2005, do të shënonte për Radio Tiranën fillimin e transmetimeve 24 orë në 24. Pas tij vjen Kanali i Dytë, që nga 5 orë në ditë transmetim prej nisjes së vet, që prej vitit 2003 starton me një strukture të veçantë “non stop” krejt të ndryshme nga ç’ka ofronte prej vitesh Radio Tirana. Kanali i Bashkëatdhetarëve, kanal që përbën një segment të veçantë specifik, jo vetëm si kanal me vite dhe shtrirje kohore, por veçanërisht për platformën unikale në tërë sistemin informativ shqiptar, thelbin e së cilës e përbën lidhja me emigrantët shqiptar. Ky kanal transmeton për bashkëatdhetarët që jetojnë në Europë, Amerikën e Veriut në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, greqisht, turqisht dhe serbo-kroatisht.
Risjellja
Prej vitesh jo me sens nostalgjikësh, por profesionalizëm në vlerësim, është tentuar risjellja e programeve që i rezistuan kohës si: “Anketa Muzikore”, “Maratona e këngës së muzikës së lehtë shqiptare”, “Radio Posta”, “Tinguj për ju”, apo regjistrimet e “Radio Përrallës” aq të dashur për dëgjuesin e vogël. Në kohë është rikthyer po kështu pas një pauze edhe regjistrimi i teatrit, dikur “Teatri në Mikrofon” sot “Mikrofoni i teatrit të Radio Tiranës”. Radiodramatizimi njohu një përvojë të re me Radionovelën “Rruga me Pisha” dhe me pas me dy realizime të tjera po aq të suksesshme, “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit dhe “Semafor”. Të gjithë këto cikle të rikthyera dhe të mirëpritura tentojnë vijimësinë.
Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot inspirojnë dëgjuesin e Radio Tiranës, duke ia lartësuar emrin si tempulli i kulturës dhe emancipimit njerëzor.
Signup using your Facebook account and sync your favorites radios across devices
Signup with FacebookSignup using your Facebook account and sync your favorites radios across devices
Leave a comment about RTSH - Radio Tirana 1
Thank you very much for your contribution
Your review will be published in a few minutes